Wednesday, November 21, 2018
Home > Uncategorized > Vlera e namazit të sabahut dhe shpërblimi

Vlera e namazit të sabahut dhe shpërblimi

Do të shohësh Fytyrën e Allahut subhanehu ue teala (në xhenet)
Dije, Allahu të mëshiroftë, se shikimi i Allahut subhanehu ue teala në xhenet është qëllimi kryesori, gjëja për të cilën kanë garuar dhe kanë vrapuar muslimanët e parë.
Transmetohet se Xhubejr ibn Abdullah el Bexhelij, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Një natë kemi qenë ulur me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem dhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem shikoi Hënën, dhe ishte nata e 14-të, dhe tha: “Ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç po e shikoni këtë (d.m.th. Hënën), duke mos pasur pengesë në shikimin e Tij. Nëse keni mundësi që të mos ju shmangë diçka nga namazi para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, atëherë bëjeni këtë.” Dhe pastaj e lexoi ajetin ku Allahu subhanehu ue teala thotë: “dhe lartëso lavditë e Zotit tënd para lindjes së diellit (falja e sabahut) dhe para perëndimit (falja e mesditës dhe e pasdites).” (Kaf, 39) (Buhariu 4851 Muslimi 633)
Fjala e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “Ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç po e shikoni këtë”, d.m.th. siç po e shihni Hënën e qartë për njerëzit dhe do ta shihni me sytë tuaj.

Kurse fjala: “duke mos pasur pengesë në shikimin e Tij,” d.m.th. do ta shihni Allahun subhanehu ue teala pa pasur ndonjë dëm apo pengesë, sikur që keni ndonjëherë pengesë në shikimin e Hënës kur dëshironi ta shihni, ndonjëherë keni pengesë nga retë dhe nuk mund ta shihni, kurse Allahu subhanehu ue teala do të shihet qartë dhe do të shihet ashtu siç shihet Dielli dhe Hëna kur nuk ka pengesë.

Dhe fjala: “nëse keni mundësi që të mos ju shmangë diçka nga namazi” tregon se ka gjëra në dynja të cilat do t’ju shmangin nga këto dy namaze (namazi i sabahut dhe i ikindisë), në qoftë se keni mundësi t’u shmangeni këtyre pengesave të cilat ju pengojnë nga namazi, atëherë bëjeni, kështu që ta arrini këtë shpërblim të madh, e që është shikimi i Allahut subhanehu ue teala dhe shpërblime të tjera që ka përgatitur Allahu subhanehu ue teala për robërit e Tij.
Dhe sa shumë pengesa janë që e largojnë njeriun nga këto dy namaze, disa njerëz i pengon qëndrimi natën nga mosfalja e namazit të sabahut, kurse disa të tjerë i pengon televizioni nga falja e namazit, duke e humbur kohën në shikimin e filmave apo serialeve apo ndeshjeve të futbollit. Kurse për disa të tjerë pengesë më e madhe është gjumi.

Kurse disa të tjerë e kanë pengesë kërkimin e diturisë, duke ndenjur tërë natën për kërkim të diturisë dhe kjo është shkaktar që ai të mos shkojë në namazin e sabahut. Ai që rri tërë natën për të mësuar dhe kjo bëhet shkak për mospraninë e tij në namazin e sabahut dhe kjo nuk është e lejuar. Shembulli i tij është sikurse shembulli i një personi i cili mundohet të ndërtojë një shtëpi mirëpo rrënon një qytet.
Ai duhet të flejë herët pas namazit të jacisë, kështu që të zgjohet herët për namazin e sabahut dhe të mësojë pas namazit të sabahut. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Umetit tim i është dërguar bereqeti në mëngjes.” Transmeton Taberaniu në El Eusat 754, dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Sahih El Xhami 2841. Pra, le të kenë kujdes njerëzit, sepse shumica e të rinjve nuk e dinë këtë gjë.

Dhe hadithi i sipërpërmendur tregon për vlerën e madhe të këtyre dy namazeve. Disa prej selefëve kanë thënë: “Mirësia më e madhe në xhenet është ta shohësh Allahun subhanehu ue teala, kurse veprat më të mira në dynja janë këto dy namaze. Ai që është i kujdesshëm ndaj këtyre dy namazeve dhe i fal në kohë me frikërespekt duke i plotësuar të gjitha kushtet dhe sunetet e namazit, shpresojmë se do të jetë prej atyre që do ta shohin Allahun subhanehu ue teala.”
Paramendo vlerën e kësaj mirësie nga hadithi që e transmeton Suhejbi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur banorët e xhenetit të hyjnë në xhenet, Allahu subhanehu ue teala do t’u thotë: “A dëshironi diçka tjetër t’ju shtoj nga mirësitë?” Ata do të thonë: “A nuk na ke zbardhur fytyrat tona? A nuk na ke futur në xhenet dhe na ke shpëtuar nga zjarri i xhehenemit?” Thotë: “Pastaj Allahu subhanehu ue teala do të heqë perden (pengesën) dhe nuk u është dhuruar atyre asgjë më e dashur sesa shikimi i Allahut subhanehu ue teala”, pastaj ka lexuar ajetin: “Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xheneti) edhe më tepër (e shohin Allahun).” (Junus, 26) (Muslimi 181)
Dhe pa dyshim se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa ta shohësh Fytyrën e Zotit tënd. Pra, nëse dëshiron ta shohësh Allahun subhanehu ue teala, atëherë shpejto në namaz.
Falja e namazit të sabahut ka shpërblim të madh

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy rekatet e sabahut janë më të vlefshme sesa e gjithë dynjaja dhe çka ka në të.” Muslimi 725.

SubhanAllah, dy rekatet sunet të namazit të sabahut qenkan më të vlefshme sesa e gjithë dynjaja me bukuritë e saj dhe çka ka në të. E çfarë vlere paska pra farzi i namazit të sabahut?
Sikur njeriu ta kishte ditur se në atë kohë (kohën e sabahut) do të mund të fitonte diçka prej kënaqësive të kësaj bote, do të ishte zgjuar menjëherë, ka mundësi edhe para kohe, kurse ne duke e ditur se sa shpërblim të madh ka namazi i sabahut, flemë dhe nuk zgjohemi për namazin e sabahut.

Për këtë shkak, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur ta dinit se çfarë shpërblimi kanë namazi i jacisë dhe namazi i sabahut kishit për të shkuar edhe gjunjazi.” Buhariu 615 dhe Muslimi 437.

Ky hadith tregon se çfarë shpërblimi ka namazi i sabahut sa që nëse ndokush nuk kish pas mundësi të shkoj në këmbë në xhami kishte me shkuar duke ecur me gjunjë ashtu sikurse shkon edhe fëmija i vogël i cili nuk din të ec mirëpo ec me duar dhe me gjunjë, dhe nuk kishin me lan pa e falur namazin me xhemat në xhami.
Transmeton Ibn Mesudi se ka pasur njerëz të cilët janë ndihmuar nga dy burra që të qëndroj në saf (Muslimi 1486). D.m.th. duke e ditur shpërblimin e namazit në xhami, edhe pse ka qenë i sëmur apo i dobët, është ndihmuar nga shokët e tij dhe ka shkuar në xhami. Me të vërtetë kjo është një mirësi e madhe o vëlla i dashur, prandaj mos hezito dhe shko në xhami.
Ka shpërblimin sikur ta kryesh një haxh dhe umre

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e fal namazin e sabahut me xhemat, pastaj ulet dhe e përkujton Allahun derisa të lindë dielli, pastaj i fal dy rekate, do ta ketë shpërblimin e një haxhi dhe umreje të plotë, të plotë, të plotë.” Tirmidhiu 586 dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen, shih, Sahih sunen etermidhi 480.

Ky hadith tregon qartë vlerën dhe shpërblimin e faljes së namazit të sabahut në xhami, mirëpo shumica e njerëzve janë larg praktikimit të saj. Si ka mundësi një njeri duke e ditur këtë shpërblim të madh të flejë në kohën kur duhet të ngrihet e të shkojë për ta falur namazin e sabahut?

Shumë muslimanë janë larguar nga praktikimi i këtij suneti dhe nuk e praktikojnë këtë përveç një pakicë e vogël. Sa punë e vogël që është të qëndrosh pas namazit të sabahut deri sa të lindë dielli në xhami, mirëpo sa shpërblim të madh që ka. Pra, o vëlla musliman, bëhu i kujdesshëm dhe praktikoje këtë hadith edhe sikur ta praktikosh vetëm një herë në javë.
Falja e namazit të sabahut ta zgjeron gjoksin

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të flejë ndonjëri prej jush shejtani ia lidh tre nyje tek koka e tij dhe secilës nyje i mëshon me fjalët: “Ti ke një natë të gjatë, shtrihu dhe mos u ngre. Nëse ngrihet dhe e përkujton Allahun, do t’i zgjidhet një nyje, nëse merr abdest do t’i zgjidhet nyja e dytë dhe nëse falet, do ti zgjidhet nyja e tretë dhe do të jetë aktiv (energjik) dhe shpirtmirë, përndryshe do të zgjohet përtac dhe shpirtkeq.” Buhariu 1142 dhe 3269 dhe Muslimi 776.
Dhe nyjat e përmendura në hadith janë realitet, siç e ka cekur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të flejë ndonjëri prej jush natën, ia lidh shejtani te koka e tij tre nyje prej litari.” Ibn Maxheh 1329 dhe shejh Albani ka thënë se ky hadith është sahih, shih Sahih Sunen ibn Maxheh 1094.
Kurse në qoftë se ai vazhdon dhe fle saqë i kalon namazi i sabahut, shejtani do të urinojë në veshin e tij. Ibn Mesudi ka thënë: “Është përmendur në prani të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem një njeri i cili kishte fjetur një natë derisa i kishte kaluar namazi i sabahut. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ky është një njeri të cilit i ka urinuar shejtani në dy veshët e tij”, apo ka thënë: “në veshin e tij”. Buhariu 1144 dhe 3270 dhe Muslimi 774.

Përktheu: Eroll Nesimi

%d bloggers like this: