Tuesday, November 20, 2018
Home > Këshilla Islame > VEPRAT QË SHLYEJNË MËKATET

VEPRAT QË SHLYEJNË MËKATET

Gjëja që më së shumti e shpreson çdo musliman është që kur ta takon Allahu, azze ue xhel, ta takon me mëkate të falura e gabime të shlyera dhe me vepra të mira të shumëfishuara. Prej urtësisë së Allahut, azze ue xhel, është krijimi i disa armiqve për njeriun, të cilët ia zbukurojnë njeriut mëkatet, ia lehtësojnë rrugën deri në veprimin e tyre dhe e largojnë prej veprave të mira. Ato armiq janë: nefsi apo shpirti i njeriut i cili është fort i prirur për të keqe, shejtani dhe epshi.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im”. Jusuf 53.

“Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. Naziat 40-41.

“Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë,e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje”. Earaf 14-18.

“A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?”. Furkan 43.

Prej mëshirës së Allahut për robërit e Tij është përgatitja e disa shkaqeve, ku me veprimin dhe praktikimin e tyre muslimanit i falen dhe i shlyen mëkatet e bëra. Ato shkaqe janë disa vepra dhe thënie të cilat Allahu i përmend në librin e Tij apo na i rrëfen Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, në hadithet e tija.

Disa prej këtyre shkaqeve janë:

1- Besimi në Allahun, azze ue xhel, njësimi i Tij dhe vepra e mirë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë”. Ankebut 7.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hapen dyert e Xhenetit ditën e hënë dhe ditën e enjte, dhe në këto ditë i falet çdo robi që s’i bën shirk Allahut “.

2- Largimi prej mëkateve të mëdha.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar”. Nisa 3.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë kohërat e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha”.

3- Pendimi i sinqertë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan 68-70.

Ibën Maxheh, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Mesudit, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që pendohet prej mëkatit është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat”.

4- Istigfari ( kërkimi i faljes ).

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërko ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. Nisa 106.

“Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj,me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” Muzemil 20.

Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Zejdit, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush thotë: Estagfirullah el ledhi la ilahe il-la huve el hajju el kajjumu ue etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, të Cilit me të vërtet i takon adhurimi vetëm se Atij, të Gjallit përgjithmonë dhe Mbikëqyrësit të Përjetshmit, dhe tek Ai pendohem), i falen atij mëkatet edhe në rast se ka ikur nga beteja”.

Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith kudsij prej Ebu Dherrit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, transmeton prej Allahut, azze ue xhel, se ka thënë: “O robërit e Mi, ju gaboni gjatë ditës dhe natës, ndërsa Unë jam falës i gjitha mëkateve. Kërkoni falje prej meje dhe unë do ua fali”.

5- Abdesi.

Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Humranit shërbëtorit të Othmanit, radijallahu anhu, i cili thotë: I solla Othmanit ujë për abdes dhe pasi që mori abdes më tha: Njerëzit i thonë disa hadithe për Pejgamberin, sal-allahu alejhi ue selem, që nuk e di se prej ku e kanë burimin, mirëpo unë e kam parë  Pejgamberin, sal-allahu alejhi ue selem, që mori abdes ashtu siç mora unë, e pastaj tha: “Ai i cili merr abdes në këtë formë, i falen atij mëkatet e kaluara”.

6- Namazi dhe hapat e bërë për në xhami.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “A dëshironi t’u tregoj për veprat që i shlyejnë mëkatet dhe i lartësojnë gradat e juaja? Të pranishmit thanë: Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, tha: “Marrja dhe plotësimi i abdesit edhe atëherë kur është vështirë, bërja e hapave të shumta për në xhami, pritja e namazit në xhami pas namazit që ke falur në xhami…”.

7- Lëmosha ( Sadakaja ).

Allahu, azze ue xhel, thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni”. Bekare 271.

Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, na shënon një hadith prej Muadhit, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-allahu alejhi ue selem, i ka thënë: “A dëshiron t’i tregoj dyert e mirësisë?Agjërimi është mbrojtje, ndërsa lëmosha e shuan mëkatin sikurse uji e shuan zjarrin.”

8- Haxhi dhe Umreja.

Imam Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith prej ibën Abasit, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Bëre vazhdimisht Haxhin dhe Umren, se ato ua shlyejnë mëkatet siç e largon zjarri ndryshkun nga hekuri.”

9- Sprovat dhe belatë.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith  prej Ebu Hurejrës se ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë gjemb që e shpon, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”.

10- Agjërimi i Ramazanit dhe namazi vullnetar në këtë muaj.

Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith prej të Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.

Buhariu dhe Muslimi poashtu shënojnë një hadith të Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, i cili thotë se i Dërguari, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

%d bloggers like this: