Wednesday, November 21, 2018
Home > Këshilla Islame > Tregimi i Muhamedi saws për Pejgamberin i cili e pati detyrë ta çlirojë Kudsin

Tregimi i Muhamedi saws për Pejgamberin i cili e pati detyrë ta çlirojë Kudsin

Joshua ibn Nun a.s. ishte një nga pejgamberët e Allahut. Ishte bashkëkohës i Musait a.s. dhe ai është djaloshi i cili udhëtoi me Musain a.s. kur shkoi për ta kërkuar hz. Hidrin. Këtë Kur’ani e tregon në suren el-Kehf (60):

وَإِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِفَتَاهُ لَا أَبْرَحُ حَتَّىٰ أَبْلُغَ مَجْمَعَ الْبَحْرَيْنِ أَوْ أَمْضِيَ حُقُبًا ﴿٦٠﴾

“(Kujtoje) kur Musai i tha djaloshit (përcjellësit) të vet: “Do të udhëtojë vazhdimisht, derisa të arrijë në vendin ku takohen dy detet, ose do të udhëtojë shumë kohë.”

Ky pejgamber i Allahut pas vdekjes së Musait a.s. mori përsipër emanetin e përcjelljes dhe shpjegimit Shpalljes së Allahut tek njerëzit. Ndër të tjera, ai u obligua edhe me detyrën e çlirimit të Kudsit. Ai deshi që në ushtrinë e tij të jenë vetëm ata njerëz të cilët kanë hequr dorë nga kjo botë dhe qëllimi i vetëm i tyre në jetë ishte kënaqësia e Allahut dhe lufta në rrugën e Tij..

Tri kategoritë të cilave ua ndaloi që të shkojnë në xhihad

Për këtë shkak ai i ndaloi të shkojnë në xhihad tri kategori të njerëzve nga Benu Israilet:

(1) Ata që sapo ishin martuar dhe ende nuk ishin takuar me bashkëshortet e tyre, sepse të tillët mezi presin që të kthehen nga xhihadi që të gëzohen me gratë e tyre, kështu që xhihadi i tyre do të jetë për shkak të dynjasë dhe lakmisë për të;

(2) Grupi i dytë të cilit ia ndaloi shkuarjen në xhihad ishin ata që kishin filluar të ndërtojnë shtëpi, por ende nuk i kishin përfunduar. Zemrat e tyre janë të lidhura me shtëpitë që kishin filluar t’i ndërojnë dhe do të donin të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që ta vazhdojnë ndërtimin e filluar;

(3) Grupi i tretë i njerëzve të cilët nuk mund të merrnin pjesë në çlirimin e Kudsit ishin ata të cilët posedonin dele dhe deve, të cilave ju ishte afruar koha e pjelljes. Ata gjatë xhihadit vazhdimisht do të mendonin për pasurinë e tyre dhe për rritjen e saj, dhe do të dëshironin, sikurse edhe dy grupet e mëparshme, që sa më parë të kthehen në shtëpi.

Për shkak të gjithë kësaj, Joshua ibn Nun vendosi që ushtria e tij të jetë e përbërë nga njerëzit të cilët nuk kujdesen shumë për këtë botë kalimtare, sepse ashtu maksimalisht do t’i përkushtohen luftës, dhe përmes tyre, Allahu do t’ua japë fitoren.

Kudsi në atë kohë ishte një nga qytetet më të bukura dhe më të populluara, me ndërtesa të bukura dhe kështjella, i rrethuar me mure të larta dhe të padepërtueshme. Joshua pa sukses e mbajti të rrethuar qytetin për gjashtë muaj, pastaj, një ditë urdhëroi që të gjithë së bashku të vërsuleshin nëpër porta dhe të gjithë përnjëherë të brohorisin tekbir, dhe Allahu do t’u japë rrugëdalje dhe fitore.

Dhe ashtu edhe ndodhi, Kudsi u çlirua pas një rrethimi prej gjashtë muajsh. Joshua dhe ushtarët e tij kapen plaçkë të madhe lufte, dhe me atë rast i vranë 12.000 ushtarë të armikut. Kjo ndodhi ditën e premte pas ikindisë, e para perëndimit të diellit. Joshua i bëri lutje Allahut që ta ndalonte perëndimin e diellit, sepse nesër do të gëdhinte e shtuna, kur e kishin të ndaluar luftën, dhe ai deshi që plotësisht ta çlirojë Kudsin dhe ta vendosë pushtetin në të.

Joshua a.s. e shikoi diellin i cili ishte afër perëndimit dhe tha: „Ti dhe unë jemi krijesa e Allahut që jemi nën komandën e Allahut. O Zoti im, ndaloje dhe parandaloje perëndimin e tij!“ Dhe Allahu e ndaloi perëndimin e tij, derisa Joshua plotësishtë e çliroi Kudsin. Ka thënë Muhamedi savs: „Dielli nuk është ndaluar për shkak të asnjë njeriu, përveç për Joshua bin Nunin, kur e çliroi Bejtul Makdisin!“ (Ahmedi)

Vjedhja sjell poshtërim në këtë botë dhe në botën tjetër

Pas kësaj e mblodhi gjithë plaçkën e luftës në një grumbull dhe urdhëroi të digjej, sepse pejgamberëve para Muhamedit savs, nuk ju lejohej marrja e plaçkës së luftës, në mënyrë që zemrat e tyre mos të jenë të lidhura me përkohshmëri dhe që xhihadit të tyre të jetë vetëm për hir të Allahut dhe për kënaqësinë e Tij. Plaçkën e hodhen në zjarr, por ajo nuk po digjej në zjarr.

Mbi këtë bazë, Joshua e dinte se dikush nga ushtarët e tij kishte vjedhur diçka nga plaçka e luftes. Për ta gjetur kush është vjedhësi, ju bëri thirrje udhëheqësve të fiseve dhe u kërkoi atyre që përsëri ta japin betimin (besën) e besnikërisë dhe ndershmërisë në xhihad.

Kur një nga udhëheqësit e vuri dorën e djathtë në dorën e Joshuas, ajo u ngjit për dorën e tij, dhe Joshua bërtiti: „Vjedhësi është nga fisi yt!“ Pastaj urdhëroi që të gjithë ushtarët të mblidhen në një vend dhe të ndahen sipas fiseve.

Pas kësaj, Joshua kërkoi prej të gjithëve që ta ripërtërijnë betimin e besnikërisë, pa ju treguar se përse po e bën këtë.

Ai vet shkoi nga rreshti në rresht, nga njeriu në njeri, deri sa erdhi te fisi me udhëheqësin e së cilit ishte takuar më parë, dora e të cilit ishte ngjitur për dorën e tij.

Tre personave nga ky fis ju ngjitën duart e tyre për duart e Joshuas me rastin e betimin për besnikëri, dhe ai tha: „Ju jeni vjedhësit! Ktheni atë që keni vjedhë nga plaçka e luftës!“ Pas kësaj ata nxorën një copë ari nga qeseja dhe kur e hodhen në grumbullin me plaçkat tjera, menjëherë zjarri filloi të djeg dhe të shkatërrojë. (Muttefekun alejhi)

http://saff.ba//

Përshtati: Miftar Ajdini

%d bloggers like this: