Saturday, November 17, 2018
Home > Këshilla Islame > Rrëfimi për njeriun të cilit Allahu ia plotësoi çdo dëshirë

Rrëfimi për njeriun të cilit Allahu ia plotësoi çdo dëshirë

A keni dëgjuar ndonjëherë për Utbe El – Gulam? Imam Edh-Dhehebiu në librin Sijar e’lam En nubela e përshkruan si zahid, të devotshëm dhe të nënshtruar ndaj Allahut.

Sa i përket gjendjes së tij ishte sikur e Hasan El-Basriut. Ka qenë i njohur për atë se qante shpesh, ndërsa kjo ishte për shkak të lutjes e cila iu plotësua. Ai iu lut Allahut të Madhërishëm për tre gjëra – lot të shumtë, zë të bukur dhe nafakë nga nuk e pret. Allahu i pranoi lutjen.

Ishte i njohur për atë se qante shumë lehtë kur gjendej në hallkat e dijes, ndërsa i çonte edhe të tjerët të qajnë për shkak të sinqeritetit të tij dhe zërit të bukur, ndërsa kur kthehej në shtëpi gjente nafakën e nuk e dinte prej nga i vjen.

Në pleqëri përjetoi një goditje në tru dhe u bë një gjysmë invalid. E luste Allahun që gjatë marrjes së abdestit dhe namazit ta liroj nga kjo gjendje. Allahu ia pranonte lutjen dhe gjatë kohës së namazit trupi i tij kthehej në gjendje normale, pra ai merrte abdes dhe falej ndërsa pas kësaj trupi i kthehej në gjendjen e paralizës.

Të ndalemi pak dhe të mendojmë. Ai nuk kërkoi nga Allahu ta shëroj plotësisht, por dëshironte ta ndjej ëmbëlsinë e adhurimeve të dashura të tij, ndërsa vendosi të jetë i durueshëm dhe të kërkoj shpërblimin për paralizën e tij. Besimtari i vërtetë gjithë jetën e tij ia përkushton Zotit të tij, çdo frymëmarrje, çdo lëvizje e syrit e bën për ta fituar kënaqësinë e Allahut. Në këtë mënyrë besimtari e harmonizon edhe jetën e tij.

Ky rrëfim gjithsesi na përkujton shumë njerëz të devotshëm të cilët me paraqitjen dhe pamjen e tyre nuk tregojnë ndonjë “rëndësi” para të tjerëve, mirëpo do të kenë vlera të larta në mizanin e Allahut.

Ky rrëfim na përkujton edhe një urtësi ballkanike e cila kohët e fundit ka filluar të harrohet, ndërsa ajo ishte: “Lus Allahun e Madhërishëm të ma ruaj shikimin që të kem mundësi të lexoj Kuranin”.

A mund ta krahasojmë gjendjen tonë me gjendjen e të parëve tanë të devotshëm? Lusim Zotin të na jap dashurinë e vërtetë për Islamin.

Veprat flasin më shuam se fjalët, ndërsa veprat tona na paraqesin një tregim shumë të zymtë.

Përshtati: Arsim Dauti

%d bloggers like this: