Friday, June 22, 2018
Home > Hadithe > Përderisa një ditë Pejgamberi ﷺ ishte në mesin e njerëzve, i erdhi një burrë dhe e pyeti:

Përderisa një ditë Pejgamberi ﷺ ishte në mesin e njerëzve, i erdhi një burrë dhe e pyeti:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Përderisa një ditë Pejgamberi ﷺ ishte në mesin e njerëzve, i erdhi një burrë dhe e pyeti: Çka është Imani? Ai tha: “Imani është të besosh në Allahun, engjëjt e Tij, Ditën e Takimit me Të, pejgamberët e Tij, dhe të besosh në ringjallje.” Pastaj i tha: Çka është Islami? Ai tha: “Islami është ta adhurosh Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë, ta falësh namazin, ta japësh zekatin e obliguar dhe ta agjërosh Ramazanin.” Pastaj e pyeti: Çka është Ihsani? Pejgamberi ﷺ i tha: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikurse je duke e parë, se ndonëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.” Pastaj e pyeti: Kur do të bëhet Kiameti? Pejgamberi ﷺ i tha: “As i pyeturi e as pyetësi nuk dinë gjë për këtë. Megjithatë, po të njoftoj për shenjat e tij: kur robëresha ta lindë zonjën e vet, dhe kur barinjtë e deveve të zeza të mburren e garojnë në ndërtimin e godinave të larta. E Kiameti është një prej pesë gjërave që nuk i di askush pos Allahut.” Pastaj, Pejgamberi ﷺ e recitoi ajetin: “Pa dyshim vetëm Allahu e di momentin e Kijametit…” (Lukman: 34) Pas kësaj, ky burri u largua, ndërkaq Pejgamberi ﷺ mënjëherë tha: “Kthejeni atë!” Sakaq, dolën sahabët, por nuk panë gjë. Atëherë ai tha: “Ky qe Xhibrili, kishte ardhur për t’ua mësuar njerëzve fenë e tyre.” Thotë Buhariu: Pra, tërë këtë e konsideroi Iman.

%d bloggers like this: