Saturday, October 31, 2020
Home > Këshilla Islame > Operacioni i një hafëzi të Kur’anit

Operacioni i një hafëzi të Kur’anit

Një mjek nga Kajro i ishte betuar Dr. Muhamed Hasanit duke i thënë:

Shejh Muhamed, gjëja më e çuditshme që kam parë në jetën time është rasti i një hafëzit të Kuranit, i cili erdhi në spital për t’u operuar. Ai i kishte tejkaluar të gjashtëdhjetat, mjekra e tij ishte e thinjur, kurse fytyra i ndriçonte dhe i shkëlqente. Kur i veshi rrobat e operimit, filloi të qajë dhe i thashë:

“Pse po qan? Ti je hafëz i Kuranit, fytyra jote po shkëlqen, ti je imami ynë.”
“O biri im, pasha Allahun, unë nuk qaj nga frika e vdekjes apo nga frika e operacionit”, më tha ai.
“SubhanAllah! Po pse po qan?” i thashë unë.
“U interesova se sa do të zgjasë operimi dhe më thanë se ka mundësi të zgjatë më shumë se katër orë.”
“Po. Ka mundësi të zgjatë katër, pesë apo gjashtë orë.”

“Falënderimi i takon Allahut!”, tha plaku.
“A je i frikësuar?” e pyeta unë, kurse ai e mohoi këtë.
“Mirë, atëherë përse po qan?”
“Pasha Allahun, po qaj se sot nuk do të mundem ta lexoj pjesën e Kuranit që e kam të caktuar”, u përgjigj ai.

“Sa lexon nga Kurani brenda ditës?” i thashë.
“Allahu është meritor që unë e përfundoj leximin e Kuranit në çdo tre ditë. Pra, unë në ditë lexoj nga dhjetë xhuza. Mirëpo, tash po frikësohem se nuk do të mundem të lexoj aq sa e kam të paraparë për të lexuar.”

Me të vërtetë u ndjeva i turpëruar dhe i nënçmuar nga kjo ngjarje. Njeriu frikësohet se do t’i ikë leximi i Kuranit edhe duke u operuar. Unë megjithëse jam i shëndoshë, ka mundësi të kalojnë dy javë apo një muaj pa lexuar një ajet nga Libri i Allahut. Ndërkohë, plaku më shikoi dhe më tha:

“O biri im, dëshiroj t’i falë dy rekatë namaz dhe kur të më vendosni në vendin ku do të më operoni, ju lutem të më lini një orë të plotë që ta lexoj pjesën e caktuar të Kuranit. Pasi të kalojë një orë, le të vijë mjeku dhe le të më japin anestezion. E lus Allahun që të na jep sukses në këtë operacion.”
Kështu, e vendosëm në sallën e operimit dhe e lamë të rrijë një orë.

Pasi lexoi Kuran, mjeku ia dha anestezionin dhe ai e humbi vetëdijen. Mjekët tjerë iu afruan për ta operuar, kurse ai, gjatë tërë kohës që e operonin, lexonte Kuran me zë të lartë. Pasha Allahun, nuk u ndalte së lexuari Librin e Allahut, edhe pse nuk ishte në vetëdije.

Hoxhë Irfan Jahiu

%d bloggers like this: