Wednesday, November 21, 2018
Home > Këshilla Islame > NUK E KE PLOTËSUAR BESIMIN PËRDERISA NUK JE I TILLË!

NUK E KE PLOTËSUAR BESIMIN PËRDERISA NUK JE I TILLË!

Allahu i Madhëruar e zbriti këtë fe te Pejgamberi ynë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe e plotësoi atë në çdo aspekt, duke ia dhënë të gjitha mirësitë që i nevoiten.

Një ndër këto mirësi madhore të kësaj feje është edhe rrespekti dhe sjellja e mirë që muslimani duhet ta ketë me fqinjët e tij që e rrethojnë, qofshin ata fqinj të afërm apo të largët.

Allahu i Madhërishëm në Kuran na përkujton dhe thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët…” (En-Nisa: 36).

Është detyrë e çdo muslimani që të sillet mirë me të gjithë shoqërinë që e rrethon, e në veçanti me ata që i ka afër me banim, fqinjët e tij.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e vlerësoi aq shumë fqinjësinë dhe nderimin e tyre sa që këtë e ndërlidhi shumë ngusht me besimin e muslimanit. Ai tha:

“Ai që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit, duhet ta nderojë fqinjin e tij”. Buhariu.

Madje në një transmetim tjetër i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është betuar në atë se nuk ka besuar një musliman me besim të plotë përderisa fqinji nuk është i sigurt nga të këqijat e tij.

Transmeton Ebu Shurejhi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar. I thanë: Kush është ai, o i Dërguari i Allahut?
Ai tha: Është ai prej të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt nga të këqijat e tij.” Buhariu dhe Muslimi.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem këshillohej aq shumë për nderimin e fqinjëve nga xhibrili alejhi selam që i vinte me shpallje, saqë mendoi se një ditë Allahu do t’i shpallë ndonjë dispozitë se fqinji ka të drejtë në trashigiminë e fqinjit.

Nga Aisha radijAlahu anha përcillet se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Xhibrili vazhdimisht më këshillonte për fqinjin derisa mendova se do t’ë trashëgojë (komshiu komshiun).” Muttefekun alejhi

Të gjitha këto që u cekën më lartë na bëjnë të kuptojmë se një musliman nuk mund të jetë me besim të mirëfilltë përderisa nuk është i sjellshëm dhe i ndershëm me fqinjët e tij.

Allahu na e mundësoftë që të jemi prej atyre që i nderojmë fqinjët tanë dhe sillemi mirë me ta!

%d bloggers like this: