Tuesday, November 20, 2018
Home > Kur’an > Ja cfarë ndodh nëse këndon ‘ajetin kursij’ tetë herë çdo ditë

Ja cfarë ndodh nëse këndon ‘ajetin kursij’ tetë herë çdo ditë

Përse është ligjëruar këndimi i ‘Ajetul kursj’ tetë herë çdo ditë?

Kanë ardhur hadithe të ndryshme, të sakta, të cilat tregojnë se ‘ajetul kursij’ preferohet të lexohet tetë herë, çdo ditë në jetën e muslimanit. E ato raste janë: një herë në dhikrin e agimit, një herë në dhikrin e mbrëmjes, një herë para gjumit, dhe një herë pas çdo namazi farz.[1]

Përveç asaj se ky ajet është mbrojtje nga shejtanët dhe këndimi i tij pas namazeve farz të fut në Xhennet, ajo që duhet kuptuar është mençuria e shpërblimeve të tilla madhështore për këndimin vetëm të një ajeti. Kjo sepse teuhidi i shkatërron shejtanët dhe kurthet e tyre, dhe sepse çelësi i Xhennetit është fjala: ‘La ilahe il-lall-llah’ (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut), pra njësimi i Allahut, i cili shfaqet nga fillimi në fund te ky ajet madhështor. Thotë Dr. Abdurrazzak el Bedr – në libërthin që ja ka kushtuar ‘ajetul kursij’ (Argumentet e teuhidit në ajetul kursij):

“Ajo që kërkohet nuk është leximi i pavëmendshëm i Ajetul-kursisë, pa menduar në domethënien e tij dhe pa medituar në argumentet e tij. Kur Allahu thotë për Kuranin në tërësi: “A nuk e meditojnë ata Kuranin?” (Nisa: 82), si mund të jetë çështja për ajetin më madhështor në mënyrë absolute në Kuran?! Në qoftë se njeriu nuk thellohet në domethënien e këtij ajeti, ndikimi dhe dobia e tij do të jenë të vogla.

Pak më lartë kaloi para syve tanë fjala e ‘shejkhul islamit’: ‘Nëse e lexon atë me sinqeritet’, e cila u përsërit në fjalët e tij (për tu theksuar) dhe për të tërhequr vërejtjen për atë se thjesht e vetëm leximi i saj nuk e arrin qëllimin dhe nuk e realizon atë që kërkohet.

Sa dallim të madh ka mes atij që e lexon atë pa vëmendjen e zemrës dhe mes atij që e lexon duke medituar në kuptimet e saj madhështore dhe duke menduar rreth atyre që ai bën fjalë prej kuptimeve të begata prej teuhidit dhe madhështisë së Allahut. E kështu zemra e tij mbushet me njësimin e Allahut, dhe mbushet me besim, dhe e ndjen madhështinë (e Zotit të botëve).

Dhe në përsëritjen e këtij ajeti me meditim ka një dobi të madhe e të rëndësishme, ndaj së cilës janë treguar të pavëmendshëm shumë prej njerëzve, dhe ajo është: që t’i rikujtohet zemrës rëndësia e teuhidit dhe bazat e tij, dhe që themelet e tij të rrënjosen thellë në zemër, dhe të zgjerohet hapësira e tij në të (dmth që ai të zërë vend të madh në zemër).

Për të kundërshtuar ata që e zvogëlojnë çështjen e teuhidit dhe mësimin e tij, dhe që pretendojnë se njeriut i mjaftuakan disa minuta për ta mësuar atë, pa pasur nevojë ta përsërisë dhe ta mësojë (e tua japë mësim njerëzve) atë vazhdimisht.”

Për këtë arsye (Allahu e di më mirë) ka ardhur në sunetin profetik udhëzimi për këndimin e sures “Ikhlas” dhe “Kafirun” në sunetet e sabahut dhe në ato të akshamit, dhe në rekatin e fundit të vitrit jemi udhëzuar prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të këndojmë suren “El Ikhlas” dhe në atë para tij (rekatin e parafundit) suren ‘Kafirun’, në mënyrë që muslimani ta nisë ditën e tij me njësim të Allahut, dhe po me atë ta mbylli. Dhe këto dy sure, – për atë që i mediton – janë posaçëruar për teuhidin, dhe largimin prej shirkut dhe ithtarëve të tij. Dhe në thelb ky është edhe përkufizimi i Islamit: “Nënshtrim ndaj Allahut me njësim (teuhid) e duke zbatuar urdhrat e Tij, dhe largim nga shirku dhe ithtarët e tij”.

Ajo që kërkohet prej nesh është: Meditimi i atyre që lexojmë prej ajeteve dhe sureve të lartpërmendura, dhe rifreskimi i teuhidit në zemrat tona herë pas here. Dhe thirrës i mençur është ai që synim të tijin kryesor ka largimin e njerëzve nga shirku në mënyrë të vazhdueshme – pa u lodhur e pa u bezdisur – dhe sqarimin e teuhidit dhe të kundërtave të tij.

Allahu na dhëntë sukses!

[1]”Kush e lexon ‘ajetul kursij’ pas çdo namazi farz nuk e pengon atë të hyjë në Xhennet asgjë përveç vdekjes” Transmeton Nesai, Ibnus Sunnij, dhe e ka saktësuar Albani në “Sahihul Xhami” (5/339) dhe në “Es-Sahihah” (2/697 hadithi nr.: 972)

Hadithi i Ebu Hurejres që kapi një shejtan duke vjedhur ushqimin e sadakasë së fitrit, i cili pastaj i tregoi se nëse do të këndonte ajetul kursij para se të flinte gjumë, do të qëndronte me të një mbrojtës nga Allahu deri në agim dhe nuk do t’i afrohej asnjë shejtan. Dhe Profeti e pohoi fjalën e tij më pas. [E ka konsideruar shejh Albani të saktë në “Sahihul Xhami” nr.: (6464)]

Transmeton Ubejj Bin Ka’b (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai njëherë i kishte ven­do­sur ca hurma në një enë, por hurmat pakëso­he­shin. Një natë vendosi t’i ruante ato, kur e pa një krijesë që i ngjante një djaloshi, i cili sapo kishte arritur moshën e pjekurisë. E përshëndeti atë me selam dhe ai ja ktheu. Pastaj e pyeti: Çka je ti, xhin apo njeri? Tha: Xhin. Ubejji i tha: “Ma zgjat dorën” ai ja zgjati dhe dora e tij ishte si putra e qenit dhe qimet e tij ishin si qime qeni. Atëherë xhi­ni i tha se ata ishin të krijuar në këtë formë. Pastaj i tha: “Xhinët e dinë se as­kush nga ata nuk është më i fortë se unë”. Ubejji i tha: “Përse ke ardhur?”. Tha: “Më ka ardhur fjala se ti e do sadakanë (lëmoshën) e kështu erdha të marr diçka nga ushqimi yt”. Ubejji e pyeti: “Çfarë na shpëton ne prej jush?”Ai iu përgjigj: ‘Ky ajet që është në suren Bekara:“Allahu! Nuk ka zot tjetër (që me­riton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Për­jet­shmit, Mbajtësit të gjithçkaje!…” (Bekare 255), kush e lexon atë në mbrëmje është i mbrojtur prej nesh deri në agim, dhe kush e lexon në agim është i mbrojtur prej nesh deri në mbrëm­je.” Kur Ubejji u gdhi (kur zbardhi dita) erdhi tek i Dërguari i Alla­hut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe i tregoi ç’i kishte ndodhur. Atë­herë i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Të vërtetën e ka thënë i keqi (i ndyti).” Transmeton Nesaiu dhe Taberaniu: shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Sahihut terghib” (418/1).

%d bloggers like this: