Monday, October 22, 2018
Home > Islami dhe Shkenca > Fjala shkencore në Kur’an..

Fjala shkencore në Kur’an..

Fjala kuranore i ngjan një qelize… Qelizat përtërihen dhe në një qenie të gjallë, në të shumtën e rasteve, përngjajnë në njëra-tjetrën, kurrë nuk përsëriten, por gjithherë ndryshohen. Një gjë e njëjtë vërehet edhe në fjalën kuranore. Vërejmë se po ato fjalë përsëriten me qindra herë në Kuran, po në të njëjtën kohë konstatojmë se ato nuk janë përsëritje. Fjala kuranore çdoherë ka domethënie e kuptim të ri. Na shpie nga tërësia në hollësi. Degëzohet në degë, sikurse fara që jep rrënjën, trungun, degët dhe gjethet, pastaj lulet dhe frytin… Ajo gjithnjë është (të themi) portokalli, që nëpërmes hollësive të tij shfaqet kërcyelli i vërtetë i portokallit. Edhe sikur disa herë ta lexojmë Kuranin, çdo herë do të kuptojmë diçka të re në të. Të marrim përshembull fjalën shkencë në Kuran. Do të vërejmë se shkenca në fillim vjen në kuptimin rrethorë, në formë vështrimi, në krijimin e qiejve dhe të tokës. Pak më tej do të shohim se si vështrimi do të detajizohet: si janë krijuar devetë dhe si është ngjitur qielli, si janë përqëndruar malet dhe si është krijuar toka… Kjo është biologji, astrologji, gjeologji, gjeografi dhe dituri të tjera të njohura sot. Kurani, pastaj na hedh kundrimin në anën tjetër. “Thuaj! Udhëtoni nëpër botë dhe shikoni si kanë përfunduar ata më parë…” Ky është një vështrim historik, ose “Udhëtoni nëpër botë që të shihni atë që Ai e ka krijuar prej asgjësë (hiçit)…”

Ta vështrojmë ajetin vijues: “Ne çojmë erëra të cilat pllenojnë (mbarësojnë)…” Komentatorët e hershëm, këtë ajet e komentuan si alegori. Erërat i ndjekin rërët dhe zbret shi i cili e pllenon tokën. Sot, kjo është fakt se era i ndjek rërët e elektrizuara pozitive dhe ndeshen me ato negative, atëherë pasojnë vetëtimat, bubullimat dhe zbret shiu. Dhe e dyta, sot dijmë se bota bimore ekziston mashkull dhe femër. Me ndihmën e erës, e cila e shpërndanë pluhurin prej lules në lule, kryen mardhëniet seksuale (të tyre) dhe kështu bota vazhdon më tejë.

“I Lartësuar është Ai që krijoi çifte të gjitha (dy lloje) nga çka mbinë nga toka, nga vetë ata (njerëzit) dhe nga çka ata nuk dijnë.” (Jasin:36). Njeriut të shekullit të shtatë asnjëherë nuk i shkoi mendja se edhe materia e bimët, në përgjithsi, janë çifte. Rryma elektrike nuk është gjë tjetër veç rezultat i dy poleve (negative dhe pozitive). Thërmia e atomit që deri vonë mendohej se është pjesa më e vogël e materies përbëhet nga bërthama të cilën e rrethojnë elektronet, kurse vetë bërthama e atomit përbëhet nga protonet dhe neutronet. Pra, çdo gjë në gjithësi (veç Allahut të vetëm) është çift.

“Ata të cilët përveç Allahut marrin mbrojtës, janë të ngjajshëm me merimangën, të cilat vetes i thurin shtëpi, kurse shtëpia më e dobët, vërtetë është shtëpia e merimangës, sikur ta dijnë ata këtë.” (Ankebut, 41) Vëmendjen e tërheq fjalia “shtëpia e merimangës është më e dobëta…” Aty nuk thuhet pejza ose rrjeta, por shtëpia. Kjo i ka shkaqet dhe arsyet e veta. Shkenca zbuloi se pejza e (rrjetës së) merimangës, është më e fuqishme se ato prej çelikut, për tri herë. Gjithashtu, është më e fuqishme dhe më elastike sesa peri i mëndafshit. Ajo për merimangën paraqet kështjellë dhe strehimore të sigurtë. Pse Kurani atëherë thotë se Ajo është më e dobëta, duke e përfunduar ajetin me fjalën: “Sikur ta dijnë ata këtë.” Kjo fshehtësi u zbulua kohëve të fundit. Merimanga femër është ndërtuese e shtëpisë. Ajo e thurë rrjetën dhe sundon në teritorin e saj. Pas mbarësimit (femra) e mbytë mashkullin dhe e ha. Të rinjtë, sapo dalin prej vezëve e hanë njëri-tjetrin. Çdo mysafir që i afrohet rrjetës, ajo e mbytë dhe e ha. Ajo pra është zhdukëse e jo shtëpi. Ajo është shtëpia më e dobët për të gjithë ata që duan të strehohen. Shkenca vetëm tani po i zbulon thëniet e Kuranit, para më shumë se 14 shekujsh.

Falënderimi i qoftë Atij që ka krijuar çift prej çdo gjëje, çka mungullon prej tokës dhe prej vetë atyre (çift dhe prej atyre që ata nuk dijnë.” (Jasin,36) Ka qenë e njohur se i Gjithdijshmi i ka krijuar në çifte, njerëzit, shtazët, xhinët, e, edhe bimët, por jo edhe sendet. “Edhe prej çdo gjëje Ne krijuam çift për ju që mendoni.” Shkenca i zbuloi edhe këto. Elektriciteti e ka polin pozitiv dhe negativ; magnetizmi është i polizuar në dy anët; në atom gjenden elektronet dhe pozitronet, protonet e neutronet; në kiminë organike, ekzistojnë molekula e djathtë dhe e mëngjër. Në kohën e fundit, përveç materies u zbulua edhe antimateria. Shkenca, u pajtua me Kuranin se kozmosi është i krijuar në gjashtë etapa: arkaike (më e vjetra); parapalezoike (gjendje e flaktë); eozoike (lajmërohet jeta e parë); palezoike (peshqit); neozoike (shtazët) dhe kenozoike (më të përsosurat).

Ne kemi mësuar se para miliarda vitesh, bota ishte një copë materie dhe ngjau eksplodimi i madh në thelbin e asaj mase të madhe të materies dhe copat e mëdha të materies filluan të fluturojnë në të gjitha anët. Nga ky eksplodim është krijuar sistemi diellorë dhe galaksia. Këto janë zbulimet që shkeca i bëri kohëve të fundit. Kurse një arab “analfabet” në shkretirë, përpara më shumë se 1400 vjetësh, ka mundë të dijë për teorinë e eksplodimit te madh dhe rritjen e gjithesisë, apo jo?! Dhe ja çfarë ka thënë sipas udhëzimit të Zotit: “A nuk e shohin mosbesimtarët se qiejt dhe toka kanë qenë një tërësi, porse Ne i kemi ndarë në pjesë-pjesë…?! Ai është i Cili e ka krijuar natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Tëtëra notojnë nën kupën e qiellit…” Nëse i shtrojmë një pyetje një biologu se kur ka filluar jeta? Ai do të na thoshte se jo prej shumë kohësh shkenca e zbuloi që para miliarda vitesh metrja ecenciale në detë ka filluar të prodhojë protoplazmën, prej së cilës ka rrjellë ameba, e prej atij lloçi të detit janë zhvilluar të tëra gjallesat. Me fjalë tjera, tërë jeta rrjell nga deti, nga uji… Para 14 shekujsh, sigurisht se asnjëfarë shkenctari apo poeti nuk do të ia qëllonte këtij zbulimi shkencor, kurse “analfabeti i shkretirës”, i udhëzuar prej Allahut tha: “…dhe Ne nga uji krijojmë çdo gjë të gjallë. A nuk do të besojnë?!” Vetëm sot shkenca zbuloi se materia në fillim ishte një tërsi e palëvizshme dhe se ishte në formë të gaztë, e nxehtë, e trashë dhe ngjitur, pastaj u shkaktua një shpërthim (me urdhërin e Allahut) në këtë materie para më shumë se 5.000.000.000.000 vjetësh. Kështu që, ajo tërësi filloi të zhvillohet dhe të largohet, ndërsa materia u vu në lëvizje të përhershme, siç thotë Allahu i Lartësuar. “Dhe qiellin Ne me duart Tona e krijuam, dhe Ne patjeter e zgjerojmë atë.”

Ai (Allahu) e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e ndjek atë…” (A’rafë, 54) “…Ai (Allahu) natën ia mbështjell (vendit të) ditës dhe ditën ia mbështjell natës…” (Zumer, 5) “Ti (O Zot) e fute natën në ditën dhe Ti (O Zot) e fute ditën në natën…” (Ali Imran, 27) Ja pra, se si Kurani paralajmron se nata dhe dita ndjekin njëra tjetrën vazhdimisht, e një gjë e tillë nuk ndodh përveç nëse toka është e rrumbullakët, e kjo është ajo që thirri Galileu (meqë ndoshta nga muslimanët kishte dëgjuar një gjë të tillë), të cilin kisha e ndoqi për ta likuiduar. Jurij Gagarini pas kthimit nga udhëtimi i tij rreth Tokës, tha se kishte vërejtur ndjekje të shpejtë të errësirës dhe dritës mbi Tokë, për shkak të rrotullimit të saj.

Mendimtari prendimor kërkoi të ndajë shkencën nga feja, sepse feja e tij (e krishterë) i thoshte: Pema e cila iu ndalua Ademit, për t’a ngrënë ishte pema e diturisë dhe pasi ai ngrëni prej saj, atij iu shtua dituria (syçeltësia). Kështu shkruan Dhiata e Vjetër (Teurati), kurse klerikët e komentuan se kur Ademi hëngri nga ajo pemë iu shtua dituria e amshueshme, gjë e cila shkaktoi hidhërimin e Zotit ndaj tij dhe e largoi nga mëshira e Tij. Shkenca përparoi vetëm atëherë kur u muar një kahje krejtësisht e kundërt dhe jo më shumë se para dy shekujve. Kurse para më shumë se 1400 vjetëve Kurani filloi revelimin me fjalët: “Lexo, mëso, studio…” Dijetarët e dijnë se cilësia me të cilën Allahu nderoi Ademin ishte e kundërt me atë që ishte thënë në Teurat. Dituria ishte shkak i nderimit të Ademit e jo shkak i përzënies së tij. Në Kuran 1400 vjet më parë u tha: “Mandej e mësyu qiellin (krijimin e qiellit) e ai ishte tym. Dhe atij e edhe tokës i tha: ‘Qasuni urdhërit Tim me dëshirë apo me dhunë’. Ata të dy thanë: ‘Po i qasemi me dëshirë.” (Fusilet, 11). Shkenca njëherë këtë tym e quajti mjegull, por vetëm në kohën e fundit zbuloi se ai nuk është mjegull, por tym, sepse mjegullat janë të ftohta, kurse ky tym i ekzistencës përmban një sasi të nxehtësisë. Tymi përbëhet nga gazrat e përziera me materie të ngurtë e është i errët. I tillë ishte tymi prej të cilit filloi ekzistenca. Prandaj sot shkenca fjalën e gabuar mjegull e zëvendësoi me fjalën tym gjë që Kurani e bëri 1400 vjet më parë.

Mikroskopi u zbulua në shekullin 16, kurse shkenca deri në shekullin 19 nuk dinte se njeriu u krijua në etapa. Kurani këtë e ka treguar 1400 vjet më parë, kur ka thënë: “Ç’është me ju që Allahut nuk i shprehni madhërinë që meriton.?! Kur Ai ju krijoi në disa etapa.” (Nuh, 13-14). Këto etapa Kurani i ka emruar me emra të posaçëm: farë (nutfeh), gjak i ngjizur (alekah), copë mishi (mugdah), eshtra (idhamë), dhe në fund mveshja e eshtrave me mish. Shkenca, jo shumë larg, ka zbuluar se njeriu u krijua prej bashkëdyzimit të sekrecioneve të mashkullit dhe femrës. Ajo pikë e spermës përqëndrohet në mitër si një kokërr (farë) gjashtëditëshe. Pra, veza e fekonduar fillon e zhvillohet gjashtë ditë para fekondimit. Ajo që ka filluar ndarjen i përngjanë shushunjës (ushujzës). Këtë etapë Kurani e ka përmendur si gjak i ngjizur (aleka), por në etapën copë mishi (mugdah) i përngjanë një sendi të përtypur në formë çëmçakëzi apo druri. Embrioni merr formën e njeriut pas 40 apo 42 ditëve, sepse në këtë periudhë embrioni fillon të marrë veçoritë e njeriut. Kurani thotë: Ai ju krijoi juve në barqet e nënave tuaja, krijim pas krijimi (etapë pas etape) në tri errësira…” (Zumer, 6) E, shkenca sot e shpjegon se embrioni zhvillohet në brendi të mbështjellësve të errët të cilat janë:

1. Muri i jashtëm i barkut të femrës. 2. Muri i mitrës. 3. Pëlhura e brendshme, e cila e mbështjell embrionin. Ndarjet shkencore të zhvillimit embrional në barkun e nënës janë të komplikuara dhe të pakuptimta, sepse kjo ndarje bazohet në numra, të cilat sipas Kuranit i përmendem më parë. Për ndarjen që shpjegon Kurani, Prof Moor thotë se është ndarje e plotë dhe e përsosur shkencore, ndarje e lehtë e kuptueshme dhe e dobishme. Në një hadith profeti as ka thënë: “Çdo njeri prej jush krijohet në barkun e nënës 40 ditë… Dhe Kur fara (në mitër) mbushë 42 net, Allahu e dërgon një engjëll që i jep formën…” Shkenca vetëm kohëve të fundit vërtetoi, se embrioni ditën e 42-të përjeton një ndryshim.

Eshtë vërtetuar shkencërisht se në kohën e akullt nëpër të cilën veç ka kaluar Toka, tokat arabe kanë qenë kopshte e lumenj. Akullnajat janë shtresuar në polin e ngrirë të veriut, mandej ka filluar lëvizja e tyre në drejtim të jugut dhe kur i janë afruar gadishullit arabik, natyrisht ka ardhur deri te ndryshimi i klimës. Kështu tokat arabe kanë qenë më së shumti në botë të mbuluara me kopshte e lumenj. Shkenca vërteton, gjithashtu, se kjo gjendje do të përsëritet. Koha e dytë e akullt ka filluar. Këto akullnaja do të lëvizin edhe një herë prej polit të veriut në drejtim të jugut dhe tashmë janë në rrugë që t’u afrohen zonave të afërta me tokat arabe. Njëra prej argumenteve të forta për këtë konstatim, është ajo që dëgjoni se çdo dimër furtunat e akullta godasin vendet në veri të Europës dhe Amerikës. Kjo ka qenë rrugë e gjatë dhe e mundimshme shkencore për ta zbuluar, kurse para 1400 vjetëve Muhamedi (alejhi selam) ka thënë: “Nuk do të vijë momenti (kataklizma) derisa të rikthehen tokat arabe në kopshte e lumenj.” (Transmeton Muslimi, kap. i zekatit, njësia 18, hadithi 60)

Kurani thotë: “A nuk dinë ata të cilët nuk besuan se qiejt dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi…” (Enbija, 30). Për këtë pjesë kuranore prof. Alfred Korner, njëri ndër shkencëtarët më të njohur botrorë në lëmin e gjeologjisë, tha: “Jam i sigurtë se para 1400 vjetëve, personi që nuk kishte fare njohuri rreth fizikës bërthamore, sipas mendimit tim, ishte i pa mundur ta zbulojë atë me anë të mendjes së tij se Toka e qiejt kan pasë të njëjtën bazë, etj.”

Para 1400 vjetësh në Kuran u tha: “Ai lejoi dy detet të puqen ndërmjet tyre. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë..” (Rrahman, 19-20). Shkenca ka aritur njohuri se detrat e njelmët nuk janë ashtu siç i shohim ne, një det, por detra të ndryshëm, të cilët ndryshojnë nga njëri-tjetri me dendësi, njelmësi dhe nxehtësi. Kjo për herë të parë u zbulua më 1942. Me përsosjen e satelitëve dhe me anën e studimeve nga largësia është bërë e mundur të fotografohen zonat detare dhe kufijtë detarë në mes pjesëve të ndryshme oqeanike. Nga andej vërehen dete me ngjyra nga më të ndryshmet. Disa dete i shohim me ngjyrë të kaltër të mbydhur. Disa me ngjyrë të zezë, disa të tjerë anojnë nga ngjyra e gjelbër. Shkaku i ndryshimit të këtyre ngjyrave është ndryshimi i temperaturës mbi sipërfaqen e deteve, mirëpo nëse ndalesh pranë detit nuk mund t’i vëresh këto ndryshime. Këto janë mburoja e nuk shihen vetëm se me anë të teknologjisë. Po me çfarë teknologjie i pa Muhamedi (alejhi selam)…? Nëse pjesa e dytë e ajetit, shkencërisht vërtetohet kështu, atëherë si spjegohet pjesa e parë e tij ku thuhet: “Ai lejoi dy detet të puqen në mes tyre…” Mendimi i komentatorve të njohur të Kuranit është se “merxhe” ka kuptim etimologjik “të përziesh”. Dhe më në fund shkenca bëri një tjetër zbulim. Detet përzihen me njëri-tjetrin. Ujrat e detit Mesdhe hyjnë në ujin e oqeanit Atlantik dhe anasjelltas, e në mes tyre është një pengesë ujore në shkallë të pjerrtë. Uji i dy deteve gjatë kalimit në tjetrin, kalon nëpër këtë pengesë e gjatë kalimit nëpër të i humb veçoritë e tij, e merr veçoritë e detit nëpër të cilin kalon.

Në kaptinën Err-Rrum, ajeti 1-3 thuhet: Elif Lam, Mim. Bizantinët (romakët) u mundën në tokën më të afërt (më të ulët), por pas disfatës së tyre ata do të ngallnjejnë. Kjo na jep me kuptue se ai është vendi më i ulët i rruzullit tokësorë vendi ku u mundën bizantinët, e ai historikisht ishte vendi afër Kudsit (Jerusalemit). Shkenca këtë të vërtetë e zbuloi para pak dekadash.

Këshilltari shkencor i presidentit Karter Frank Pres, kryetar i Akademisë së Shkencave për Amerikën, shkroi një libër në të cilën paraqiti disa zbulime të reja shkencore. Në të, në faqen 488 ka sqaruar formën e kodrës e cila ka formë shtylle. Në faqen 413 shohim fotografinë e një kodre, ku kodra është një pjesë e vogël, ndërsa rrënjët e thella duken nën shtresën e fundit. Kurse në faqen 435 thotë: “Kodrat luajnë rrol me rëndësi në përforcimin e kores së sipërfaqes së Tokës. Por, Kurani këtë e ka thënë më shumë se 1400 vjet më parë: “Kurse kodrat ia përforcoi.” (Naziat, 32) Dhe kodrat i bëri si shtylla (Nebe, 7) “Ai vuri kodra (të forta) në Tokë, ashtu që ajo të mos lëkundet me ju (Nahël, 15)

Prof. Armstrong, astronaut dhe shkencëtar i njohur në Amerikë, i cili punon për agjensinë e hulumtimeve astronomike në gjithësi “NASA”, vuri në dukje zbulimin e ri shkencor në lidhje me metalin e hekurit. Ai thotë: “Në çdo element bashkohen grimca të vogla të elektroneve, protoneve etj, mirëpo që të bashkohen këto grimca në bërthamë të çdo elementi nevoitet fuqi. Fuqia e nevojshme për formimin e atomit të hekurit duhet të jetë sa katër herë energjia e tërë sistemit diellor. As energjia e Diellit, e Tokës, e Hënës e Saturnit e planeteve tjera së bashku nuk mjafton në formimin e një atomi të hekurit. Nisur nga ky fakt, shkencëtarët thonë se ky është element i huaj, i cili si i formuar ka arritur në Tokë e nuk është formuar në të. Këtë dukuri Kurani e ka sqaruar 14 shekuj më parë kur ka thënë: “Ne e kemi zbritur edhe hekurin, që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz.” (Hadidë,25)

“Vërtet, ata që mohuan argumentet tona, do t’i hedhim ata në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurët atyre, Ne ua ndërrojmë në lëkura të tjera që ta shijojnë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Drejtë në atë që vepron.” (Nisa,56) Vetëm disa vjetë më parë mjeksia zbuloi se dhembjen e ndjen vetëm lëkura ku gjenden shqisat ndijuese. Atëherë a nuk është ajeti i lartshënuar një sinjalizim për këtë? Për ndryshe, çfarë kuptimi ka fjala e Allahut: “Sa herë që u digjen lëkurat atyre, Ne ua ndërrojmë në lëkura të tjera që ta shijojnë dënimin (zjarrin).” Muhamedi (alejhi selam) nuk jetoi në kohën tonë që të zbulonte diçka të tillë me mjetet bashkëkohore të mjekësisë, por atë e mësoi Njohësi i çdo fshehtësie, Krijuesi i njerëzimit, se djegia e thellë e lëkurës shkatërron indet nervore me anë të dhembjes. Kështu para 1400 vjetëve dha njohuri për indet nervore nën lëkurë…

“Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën atij për (ta pranuar) Islamin. Kurse atë që dëshiron ta lërë të humbur, gjoksin e tij ia bën shumë të ngushtë, sikur të ngjitej në qiell (lartësi të larta)…” (En’am, 125) Ky ajet zbulon dy fshetësi: e para, sa më lart që të ngrihet njeriu nga rruzulli toksor, aq më shumë i ngushtohet frymëmarrja, e kjo është ajo që shkenca bashkëkohore e dëshmoi. E Dyta, se njeriu një ditë do ta vërjetojë këtë vetvetiu dhe do të ngjitet në lartësi qiellore. Ja pra, janë ditët tona që i vërtetojnë këto thënie kuranore.

“Allahu është ai që ngriti qiejt me shtylla që nuk i shihni…” (Rrad, 2) Ajeti sqaron se qiejt (të cilët janë shtatë, që shkenca ende nuk i ka zbuluar) dhe Toka kanë shtylla por të padukshme. Sot dijetarët vërtetuan këtë thënie, duke zbuluar se planetet qëndrojnë në pozicionet e tyre sipas ligjit të gravitacionit, të cilin e krijoi Allahu i Lartësuar, ndaj planetet qëndrojnë në pozicionet e tyre, përndryshe do të shkatrrohej çdo gjë.

O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni prej kufinjve të qiejve e të Tokës, dilni, por nuk do të mundeni të dilni pos me një fuqi të fortë (që ju në këtë kohë të shekullit të shtatë nuk e posedoni) (Rrahman, 33) Zhvillimi teknin bashkëkohor argumentoi apo praktikoi këtë fjalë të Allahut të Lartësuar me urdhërin e Tij. Pra, Allahu u thotë njerëzve se ju mund t’i kaloni kufinjtë e qiellit vetëm nëse posedoni ndonjë fuqi të madhe, e dihet se çfarë fuqie e madhe nevoitet për çarjen e qiellit.

“Edhe kuajt (i krioji Zoti yt) edhe mushkat edhe gomerët, për t’iu hipur atyre dhe si stoli, e Ai do të krijoi (për hipje) çka ju (tani) nuk dini. (Nahl,8) Shtazët e përmendura në fillim ishin mënyra e vetme e transportimit të asaj kohe. Por Allahu thotë se në të ardhmen do të krijojë mënyra të reja (të cilat njeriu i shekullit të shtatë nuk i dinte. Koha e veturave dhe e aeroplanëve e vërtetoi këtë. Por meqë Allahu nuk përcaktoi, nuk do të thotë se nuk mund të bëhen edhe zbulime të reja në këtë pikpamje.

“E ti (Muhamed dhe ti njeri) i sheh kodrat dhe mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato kalojnë sikurse kalojnë retë, (kjo është) mjeshtëria e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se ç’punoni.” (Neml, 88) Ajeti sinjalizon se Toka rrotullohet, për ndryshe çdo të thotë lëvizja e kodrave? Ky realitet u zbulua pesë shekuj më parë nga Koperniku të cilin kisha e akuzoi si mosbesimtar dhe e dogji në turrën e druve në vitin 1543. Nuk mund të thuhet pra se Koperniku qe i pari ai që e dha këtë realitet, sepse Kurani e ceku këtë 1400 vjet më parë.

“Ne i dërgojmë erërat mbarsuese e nga qielli (retë) lëshojmë shi…” (Hixhr, 22) Sot është bërë e njohur se ngurtësimi i avullit të ujit në formë të pikave të shiut nuk ndodh edhe nëse lagështia në atmosferë arrin 400 %, derisa të bashkohen në thërmia shumë të vogla të kripura apo në formë akulli e të cilat i bartin erërat, dhe kur ata takohen me atmosferë të lagësht fillon të dendësohet ajo dhe pastaj me urdhërin e Allahut lëshohet shiu nga to. Gjithashtu, me anën e erës edhe bimët mbarësohen, duke e përcjellë farën prej njërës në tjetrën.

“Dhe Ne qiellin ua bëmë si një kulm të sigurtë, por ata refuzojnë ajetet tona.” (Enbija, 32). Qielli pra është ai që mbron tokën sikurse kulmi shtëpinë. Vallë, prej kujt e mbron atë? Dijetarët bashkëkohorë thonë: “Sikur shtypja atmosferike toksore të ishte pak më e ulët sa që është nga rruzulli toksor, atëherë shkëndjiat e shumta që çajnë horizontet e jashtme do ta godasin Tokën në të gjitha pjesët e saj. Dhe me këtë rast do të ndizej çdo gjë ndezëse, atëherë qielli nuk do të ishte mburojë.” Biologu Frenk Alen në librin e tij “Zoti zbulohet në shekullin e diturisë” thotë: “Toka është e mbështjellur me një materie të gaztë, e cila përmban gazrat e nevojshme të jetës dhe ajo ngrihet mbi rruzullin toksor më teper se 500 milje. Kjo mbështjellje e Tokës arrin dendësinë e nevojshme që ta pengojë derdhjen e miliona shkëndijave vrasëse për çdo ditë në Tokë… Dhe kjo mbështjellje atmosferike ruan shkallën e nxehtësisë së nevojshme për jetë. Po ashtu, ajo bart avullin e oqeaneve dhe të deteve në vendet e largëta brenda kontinenteve ku edhe shndërrohet në shi, i cili ringjallë Tokën pas vdekjes së saj. Kurse shiu është burimi kryesor i ujit të ëmbël, i cili sikur të mos ekzistonte, Toka do të shndërrohej në një shkretirë pa shenja jete…”

“Betohem në vendqëndrimin e yjeve. E ky betim është i madh sikur ta dini…” (Uakia, 75-76) Në kohën kur u shpall Kurani, kjo ishte krejtësisht e pakuptueshme. Por sot ne e dimë se grupi i yjeve më të largëta me qiellin tonë është larg nesh afro 700.000 mijë vjetë drite, kurse drita për një sekond kalon 300.000 km. Mirëpo vendqëndrimi i yjeve edhe sot e kësaj dite po i mundon dijetarët. Koha kur dijetarët do të mund ta vizatojnë harten e tyre, do të jetë një kohë e re për historinë njerëzore. Dijetari i astroanutikës James Jines, thotë: “Studimi i vendqëndrimit të yjeve do ta jap çelësin e një panorame më të bukur që ka parë syri i njeriut, do të na mundësojë shikimin e një qielli të çuditshëm e të gjërë edhe do të kuptojmë nga ajo çfarë nuk kishim kuptuar. Sikur të kemi mundësi t’i skicojmë vendqëndrimet e yjeve përgjithsisht, një gjë e tillë do të na ofronte sqarimin e realitetit të gjithësisë.”

Ai (Allahu) është që bëri Diellin shndëritës, e Hënën e bëri dritë…” (Junus, 5) “I madhërueshëm është Ai që krioi yjet në qiell dhe vendosi në të një shndëritës (Diellin) dhe një Hënë ndriçuese.” (Furkan, 61) Nga këto dy ajete kuptohet se Dielli është shndëritës (shndërit vetiu), ndërsa Hëna e huazon dritën. Shkenca këtë e shpjegoi kohëve të fundit, kur u tha se Dielli është i zjarrtë, ndërsa Hëna e huazon dritën nga Dielli.

“Edhe Dielli udhëton për në cakun e vet. Ky është përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit (Jasin:38) Ky ajet sinjalizon zbulimet më të reja shkencore se Dielli ka dy lëvizje kaluese nga lindja rreth një ylli shumë të madh. Eshtë interesant se i njëjti ajet kuranor lexohet në dy kiraete (mënyra leximi). I pari siç spjeguam derimë tanni, kurse në të dytin thuhet se udhëton pa cak, pa kufi, pandërprerë. Në kuptimin e parë nënkuptohet rrotullimi i Diellit rreth atij ylli të madh, kurse nënkuptimi i dytë njofton rrotullimin e tij rreth boshtit të vet pandërprerë.

Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as në Tokë as në qiell, as sa grimca më e vogël sa ajo e më e madhe, e çdo gjë është e shkruar në librin e qartë.” (Junus, 61) Deri vonë mendohej se atomi është thërmia më e vogël. Por Kurani thotë se Allahut nuk i fshihet asgjë, as grimca më e vogël. Pastaj arriti shkenca t’i ndajë atomin në protone dhe neutrone që janë pjesët më të vogla se atomi. Nga pjesa e ajetit “… në Tokë as në qiell” dijetarët bashkohorë thanë se po të njëjtat thërmi janë edhe në qiell.

“A nuk bëmë Ne Tokën të përshtatshme (për jetë)? Ndërsa kodrat i bëmë shtylla të saj?” (Nebe, 6-7) Më 1956 dijetarët zbuluan se malet e larta kanë rrënjë të thella në tokë të cilat luajnë rrolin e shtyllave. Gjatë hulumtimeve u zbulua se trashësia e sipërfaqes së Tokës nën male arrin 35 km, derisa në sipërfaqe tjera rreth 5 km. E sikur të mos ekzistonte një gjë e tillë, nuk do ta mbante Toka. Kodrat dhe shtyllat e saj janë identike, sepse të gjitha ato janë të ngulitura në Tokë, e po ashtu edhe kodrat. Ngulitja e shtyllave dallohet sipas ngurtësisë, formës dhe masës së ngulitur në Tokë, e poashtu edhe kodrat. Më interesante nga e gjithë kjo është se shtyllat duhet të jenë përgaditur para ngulitjes së tyre në Tokë, e po ashtu edhe kodrat, sepse ato u formuan nga veprimet xhveshëse, pastaj i paraqiti ato shtypja ansore e kontinenteve të vjetra. Shtyllat nuk mund të nguliten vetiu në Tokë por duhet një fuqi e jashtme që t’i ngulitë ato, kështu që edhe kodrat u ngulitën me ndihmën e një fuqie të jashtme që t’i ngulitë ato, kështu që edhe kodrat u ngritën me ndihmën e fuqisë shtypëse vertikale, etj.

“Betohem në detin e ndezur. (Tur, 6) Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakëruar.” (Tekuir, 6) “Dhe kur detet të eksplodojnë.” (Infitar, 3) Hulumtimet shkencore vërtetuan se nëntoka është zjarr i flakur, e posaçërisht nëndetet. Ndoshta shumëkush nuk beson se mund të ndizet uji, i cili e shuan zjarrin, por një gjë e tillë u vërtetua kur u hodhën bombat atomike në ishujt e Japonisë në fund të luftës së dytë botrore. Ato bomba e ndanë ujin në hidrogjen dhe oksigjen, me këtë rast u dogjën një numër i madh i japonezëve.

“E kur qielli të çahet dhe kur yjet të shkatërrohen. Kur qielli të pëlcasë. Dhe kur qielli të është rjepur. E kur qielli të çahet e të bëhet i kuq si vaji i shkrirë…” Këto janë ajetet që vërtetojnë atë që tha D. Valter nga Universiteti i Kanzasit, i cili kishte qëndruar duke vështruar planetet dhe yjet 15 vjetë. Ai ishte i bindur se yjet bashkë me Diellin, Hënën dhe Tokën do të çahen e do të shkapërderdhen dhe galaktika e jonë do të tretet në gjithësinë e gjërë. Çdo gjë që ka fillim ka edhe mbarim. Dijetari amerikan Eduard Ksil thotë: “Zbulimet shkencore pa qëllim vërtetuan se gjithësia ka fillimin dhe nuk mund të fillojë vetvetiu.” Kurse dijetari James Jeens thotë: “Gjithësia nuk është pa fillim.”

Kurani thotë: “Ose veprat e tyre janë si errësirat në det të thellë, të cilin e mbulojnë valë mbi valë dhe mbi ato retë e dendura, pra errësira njëra mbi tjetrën sa që nuk mund të shohësh as dorën e vet. Atij të cilit Allahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të patur dritë.” (Nurë, 40) Deri sot shkenca nuk ka qenë në dijeni për këto errësira. Por sot shkenca spjegon ato që Kurani na ka shpjeguar 1400 vjet të shkuara dhe thotë: “Shkenca i zbuloi këto pas përdorimit të nëndetësve në thellësi të mëdha. Njeriu nëse zhytet në thellësi nën 200 metra, nuk mund të mbesë gjallë. Por nëndetëset kanë bërë të mundur studimin. Errësirat që shtresohen njëra mbi tjetrën formohen nga dy shkaqe. Këto dy shkaqe janë rezultat i humbjes së ngjyrave shtresë pas shtrese. Rrezet e dritës përbëhen nga shtatë ngjyra, kur këto rreze zbresin në ujë, shtatë ngjyrat shpërndahen dhe kështu pjesa e lartë absorbon ngjyrën e kuqe në dhjetë metrat e sipërme. Nëse një zhytës, zhytet në thellësi prej 30 metrash, e lëndon trupin e i del gjak e dëshiron ta mshohë atë, nuk mund ta shohë ngjyrën e kuqe, sepse rrezet e kuqe nuk ekzistojnë. Pas kësaj uji absorbon ngjyrën e portokalltë e në thellësi prej 50 metrash, fillon ta absorbojë ngjyrën e verdhë, kurse në thellësi prej 100 metrash absorbon ngjyrën e gjelbër e kështu me radhë. Ndërkaq, në thellësi prej 200 metrash uji absorbon ngjyrën e kaltër. Këto janë errësira njëra mbi tjetrën siç thotë Kurani. Sa i përket shkakut të dytë ai ndodhë për shkak të pengesave që pengojnë dritën sepse rrezet ndriçuese që zbresin nga dielli, një pjesë të tyre e absorbojnë retë, kurse pjesën tjetër e shpërndajnë dhe kështu formohet errësirë nën re. Kjo është errësira e parë, e kur zbresin rrezet ndriçuese në detin e valosur, ato refletohen në sipërfaqen e valëve dhe japin shkëlqim. Thellësia detare ndahet në dy pjesë kryesore, kurse në mes ekziston një valë ndarëse.” Kjo valë e brendshme nuk është zbuluar deri në vitin 1900. Nën këtë valë gjendet errësira, kështu që edhe peshqit në këto zona nuk shohin me sytë e tyre por ata posedojnë burime drite në trupin e tyre… Nëndetëset në këto zona duhet të përdorin burime drite artificiale që të shohin rrugën e tyre… A thua kush e lajmroi Muhamedin për këto gjëra që shkenca i zbuloi pas 1400 vjetëve. Ai është Allahu, Krijuesi i kësaj mrekullie. Ç’është e vërteta, Kurani përmban edhe shumë thënie të tjera, për të cilat shkencës i mbetet t’i zbulojë më vonë. Disa mendojnë se Kurani është vetë shkenca, por një gjë e tillë refuzohet sepse Kurani pikë së pari është Fjalë e Zotit, kurse shkenca është mendim apo përpjekje për zbulimin e fjalëve të Zotit. Shkenca ndonjëherë mund të dështojë, kurse fjalët e Zotit asnjëherë nuk dështojnë. Kurani është nxitës i madh për zbulime, por ai nuk është vetë shkenca sepse është mbi shkencën. Ai është burimi, kurse shkenca gjurmuesi. Ai na zbulon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Me një fjalë, fillimin dhe mbarimin.

%d bloggers like this: