Wednesday, November 14, 2018
Home > Lajme > Facebook sjell plot veçori të reja

Facebook sjell plot veçori të reja

Rrjeti social më i madh në botë, Facebook, ka prezantuar disa veçori të reja për të cilat kompania thotë se do t’iu ndihmojë njerëzve që të menaxhojnë identitetin e tyre në këtë rrjet social.

Veçoria e parë ka të bëjë me lëshimin e njoftimeve sa herë që shfaqeni në fotografinë e dikujt tjetër, transmeton Koha.net. Pra, nëse aktivizoni këtë veçori dhe Facebook ju sheh në një fotografi, dhe po ashtu ju jeni pjesë e audiencës së asaj fotografie, atëherë do të njoftoheni për këtë, edhe nëse nuk jeni etiketuar (tagged) në fotografi.

“Ju e kontrolloni fotografinë tuaj në Facebook dhe mund të bëni zgjidhje të tilla si nëse doni ta etiketoni veten, ta leni veten të paetiketuar, ose ta kontaktoni personin që ka postuar foton nëse jeni i shqetësuar në lidhje me këtë”, thotë Facebook.

Gjithashtu, kompania thotë se së shpejti do të lansojnë një tjetër veçori e cila do t’ju lejojë të dini nëse dikush përpiqet të shtiret si ju në Facebook duke përdorur foton tuaj si imazhin e profilit të tyre.

Vlen të përmendet se të dy këto veçori janë opsionale, përcjell Koha.net. Po ashtu, kompania zbuloi se kjo veçori përdorë teknologjinë e njëjtë të identifikimit të fytyrës që aktualisht përdoret për të sugjeruar miqtë të cilët do të dëshironit t’i etiketoni në foto apo video.

Kompania, po ashtu, thotë se këto veçoritë e reja do të jenë të qasshme në shumë vende, përveç Kanadës dhe BE-së ku Facebook aktualisht nuk ofron teknologjinë për identifikim të fytyrës.

Facebook, gjithashtu ka prezantuar edhe një risi tjetër, të cilën të gjithë e kemi përdorur. Fjala është për Poke (ngacmim), por tashmë ky ngacmim do ketë disa kuptime.

Nëpërmjet Poke tashmë ju mund t’u përcjellni miqve tuaj një përqafim, një përshëndetje ose një shkelje syri.

Për të përfituar nga opsionet e reja duhet të mbani të shtypur për disa sekonda ikonën e “Poke” dhe në atë moment do t’iu shfaqen edhe opsionet e reja, pra është e njëjta logjikë përdorimi si me opsionin “Like”.

E nëse pendoheni për “Poken” që keni çuar ju keni mundësin ta anuloni ose ndryshoni mesazhin që po përcillni.

Facebook ka njoftuar se këto opsione po testohen në Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Kanada, Kolumbi, Francë dhe Tajlandë e që së shpejti do vijnë edhe për të gjithë përdoruesit e Facebookut.

Me sjelljen e kësaj risie kompania gjigante e komunikimit feston edhe 10 vjetorin e opsionit “Poke”.

%d bloggers like this: