Tuesday, November 20, 2018
Home > Këshilla Islame > Çështje të cilat sjellin bereqet

Çështje të cilat sjellin bereqet

I kemi shkurtuar, këto në 16 pika:

1. Kurani.
Allahu i madhëruar e ka quajtur atë të bereqetshëm kur ka thënë: “Ky është libër të cilin e kemi zbritur të bereqetshëm…” Ndërsa Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varre, shejtani largohet nga ajo shtëpi e cila lexohet në të surja Bekare” (Sahih El-Xhamia, 7227)

2. Devotshmëria dhe imani.
Nuk ka dyshim se imani dhe devotshmëria janë nga çështjet të cilat sjellin bereqet. Allahu i madhëruar thotë: “Edhe sikur banorët e fshatrave do të besonin e do të bëheshin të devotshëm, do t’u hapnim atyre bereqet nga qielli dhe toka”.

Bashkëshorti gjen bereqet me devotshmërinë e tij në bashkëshorten, fëmijët e rrëskun e tij.

3. Përmendja e Allahut.
Në fillim të çdo pune përmendim Allahun. Ka thënë Pejgamberi sallahu alejhi ue selem: “Nëse futet njeriu në shtëpi të tij, e përmend Allahun e madhëruar, gjithashtu edhe tek ushqimi i tij, thotë shejtani: ‘Nuk keni sot as vend për të fjetur e as darkë’. E nëse futet në shtëpi e nuk e përmend Allahun e madhëruar, shejtani thotë: ‘E gjetëm vendin e fjetjes’. Gjithashtu edhe tek ushqimi i tij nuk e përmend Allahun shejtani thotë: ‘E gjetëm darkën’.” (Sahih El-Kelim)

4. Grumbullimi rreth ushqimit.
Është bërë i bereqetshëm ai ushqim i cili grumbullohen rreth tij njerëzit. Ka thënë salallahu alejhi ue selem: “Ushqimi i dy vetave mjafton për tre, e i tre vetave mjafton për katër.” (Sahih Et-Tergib, 2129)

E shikojmë këtë më shumë në iftarin e muajit Ramazan për arsye se numri i të grumbulluarve shtohet.

5. Syfyri.
E kjo për thënien e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Me të vërtetë në syfyr ka bereqet” e bereqeti i kësaj është shpërblimi i këtij agjërimi, sevapi i madh, mbajtja e agjërimit me lehtësi, dhe devotshmëri në adhurim të Allahut.

6. Uji i zemzemit.
Ky burim i dalë nga brendësia e shkretëtirës, nga një tokë e thatë e cila nuk kishte asnjë lloj uji, e as ndonjë mal me burime afër asnjëherë nuk është ndërprerë. Ky është një burim i bereqetshëm. Ka thënë për të Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Allahu e mëshiroftë Umu Ismail, sikur të kishte lënë burimin zemzem, -apo ka thënë- sikur të mos e kishte mbledhur do të ishte bërë burim i përhapur.” (Sahih El-Xhamia, 8079).

7. Vaji i ullirit.
Pema e ullirit është pemë e bereqetshme e ka thënë këtë Allahu i madhëruar në Kuran kur ka thënë në suren Nur: “ e llamba e futur në një ene qelqi, ena e qelqit si të ishte yll që shkëlqen i ndezur nga një pemë e bekuar, nga ulliri, as nga lindja e as nga perëndimi (nuk i merr rrezet) vaji i të cilit digjet vetvetiu edhe pse nuk e ka prekur zjarri fare”. Ashtu sikur e dimë se vaji i ullirit është shërues i një sërë sëmundjesh.

8. Nata e Kadrit.
Çdokush prej nesh e di se çfarë bereqeti ka kjo natë. I mbledh pjesëtarët e familjes kujdestari i tyre e u flet për bereqetin e dobitë e mëdha që ka kjo natë. Ka thënë Allahu i madhëruar: “Me të vërtetë ne e zbritëm (Kuranin) në një natë të bereqetshme e Ne me të vërtetë ua kemi tërhequr vërejtjen.”

9. Dy festat e bajrameve.
Të cilën e fillojnë me faljen e namazit të Bajramit e falënderojnë Allahun për mirësitë e shumta që u ka dhënë, u jep bereqet në këto mirësi, ua shton e ua zgjeron ato. Për këtë ka thënë Umu Atijeh radiallahu anha: “Ishim të urdhëruara që të dilnim ditën e Bajramit, edhe shërbëtoret, edhe femrat me të përmuajshmet, qëndrojnë mbas njerëzve, bëjnë tekbir kur ata bëjnë tekbir, bëjnë dua kur ata bëjnë dua, shpresojnë bereqetin e kësaj dite dhe pastërtinë e saj”. (Sahih El-Bukhari).

10. Ushqimi hallall.
Ushqimi hallall është ushqimi më i mirë në të cilin Allahu lëshon bereqet. Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “O ju njerëz, Allahu është i mirë e nuk pranon vetëm se të mirën” (Sahih El-Xhamia, 2744). Në mallin haram nuk lëshon Allahu i madhëruar bereqet e nuk i sjell pronarëve të tij vetëm se *****arallëk e pakësim.

11. Shtimi i falënderimit.
E kjo është e qartë nga thënia e Allahut të madhëruar: “…e po të falënderoni padyshim ne do t’ua shtojmë” e shtim këtu përfshin çdo gjë, qoftë në pasuri, në shëndet, në jetë e të gjitha mirësitë e Allahut të cilat nuk kanë të numëruar e as të llogaritur”

12. Sadakaja.
Të cilën e shumëfishon Allahu i madhëruar nga dhjetë e deri në shtatëqind fish. E ia shumëfishon atij që do. E nuk ka dyshim se sadakaja sjell bereqet në pasurinë e njeriut e shton atë. Ka thënë Allahu i madhëruar: “…shembulli i atyre që shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të Allahut është sikur shembulli i një fare e cila çel shtat kallinj në çdo kallinj ka njëqind kokrra, Allahu ia shton atij që do, Allahu është i Gjithëdijshëm.”

Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Një e mirë është e barabartë me dhjetë të mira deri në shtatëqind fish, edhe e keqja sikur kjo vetëm nëse fal Allahu për të”.

13. Respekti dhe vizita e të afërmve.
Siç ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “…vizita e të afërmve, e morali i mirë, i ndriçojnë shtëpitë, e shtojnë jetën.” (Sahih Tergib, 2524).

14. Të zgjuarit herët.
E kjo kur njeriu zgjohet herët e i fillon punët e tij qysh në mëngjes herët. Ka thënë i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem: “I është dhënë bereqet umetit tim në të ngriturit herët.” (Sahih El-Xhamia, 2841).

Shumë persona flasin për shkakun e suksesit të tyre në jetë mbas ndihmës së Allahut të madhëruar, kryerja e punëve të tyre qysh herët në mëngjes.

15. Martesa.
Edhe kjo është një nga shkaqet e sjelljes së bereqetit. Disa nga të parët tanë të mirë (selefus-salih) kërkonin të martoheshin me qëllim që t’u realizohej pasuria e t’ju shtohej rrësku, sepse ata e kuptuan këtë nga thënia e Allahut të madhëruar: “E martoni nga mesi juaj ata që janë të pamartuar, martoni edhe salihunët (të përkushtuarit) dhe robërit e robëreshat tuaja. Nëse janë të varfër Allahu do t’i pasurojë nga begatitë e Tij, Allahu është i Gjithëdijshëm”. Gjithashtu thënien e Allahut të madhëruar: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e rrëskut, Ne ju furnizojmë juve dhe ata”.

16. Planifikimi.
Allahu i madhëruar i premtoi Pejgamberit salallahu alejhi ie selem për fitoren që do të korrnin më parë se të ndodhte. Si ka mundësi që ndonjëri të pengojë planifikimin duke menduar se çdo gjë lehtësohet me bereqet? (pra siç i thonë: hajt kësmet Allah).

A gjejmë sot ne, familje të cilat planifikojnë për të ardhmen e për të ardhmen e fëmijëve të tyre apo i lënë çështjet ashtu? Nuk ka dyshim se ne kemi nevojë ta rishikojmë këtë pikë, kemi nevojë të planifikojmë e të përgatitemi për të ardhmen e pastaj t’i mbështetemi Allahut e të kërkojmë prej Tij subhanehu ue teala bereqetin.

%d bloggers like this: